Një krim i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Dibër. Burri është çuar në mes të natës dhe ka vrarë me sëpatë gruan e tij, ndërkohë që ajo ishte në gjumë. Burime nga Drejtoria e Policisë Dibër, thanë për “Shqip”, se ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 01:30 të mëngjesit të djeshëm, në fshatin Brest i Epërm të Komunës Kastriot në rrethin e Dibrës. Shtetasi Lazam Tafa, 43 vjeç, ka vrarë me sëpatë gruan e tij, Zelie Tafa, 35 vjeçe, duke e goditur në kokë, gjë që i ka shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme.
Po sipas këtyre burimeve, policia është njoftuar për këtë ngjarje të rëndë nga të afërmit e vrasësit dhe ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku ka vënë në pranga 43-vjeçarin Lazam Tafa, i cili nuk ka kundërshtuar uniformat blu gjatë prangosjes. Burime nga policia thanë se burri është gjetur pranë trupit të bashkëshortes së vdekur kur kanë shkuar ta arrestojnë.
Edhe pse për momentin shkaqet që çuan në këtë krim të rëndë brenda familjes mbeten për t‘u zbardhur në të ardhmen, nga veprimet e para të grupit hetimor mendohet që ajo të jetë shkaktuar në kushtet e një depresioni tepër të rëndë, nisur edhe nga mënyra e ekzekutimit të gruas me sëpatë në kokë, pikërisht kur ajo po flinte.
Gjatë ditës së djeshme, fshati Brest i Epërm, 12 kilometra larg qytetit të Peshkopisë, dukej krejt i heshtur. Askush nuk dëshironte të fliste për këtë ngjarje tragjike, aq më tepër familjarët e bashkëshortëve Tafa.
Një i moshuar, banor i këtij fshati, që nuk dëshironte të identifikohej, tha se ngjarja është tepër e rëndë dhe se ajo mund të kryhet vetëm po qe se je i çmendur. “Gjynah për gruan që ishte e re, por gjynah edhe për tre fëmijët që mbetën jetimë, për nënë po se po, por edhe për babë”, tha plaku.
Edhe pse jo zyrtarisht, nga burime konfidenciale, merret vesh se 43-vjeçari vrasës, kohët e fundit kishte shfaqur shenja të një depresioni të fortë mendor, por nuk ishte kuruar te mjeku asnjëherë. Sipas informacioneve, burri kishte kohë që grindej pa shkak me gruan dhe të afërm të tjerë, por nuk kishte qenë ndonjëherë aq agresiv sa familjarët të merrnin masa për ta izoluar.
Krimi në familje, edhe pse rrallë ka goditur edhe në Qarkun e Dibrës, ku bëjnë pjesë rrethet, Dibër, Bulqizë dhe Mat. Kështu, ky është rasti i tretë në harkun kohor të 14 muajve kur burrat vrasin gratë dhe ngjarjet kanë ndodhur nga një për secilin rreth. Vrasja e parë e këtij lloji u shënua në maj e vitit të shkuar në qytetin e minatorëve, në Bulqizë. Dashamir Murati i mori jetën gruas së tij, Etleva Murati 22 vjeçe, në shtratin bashkëshortor, duke e mbytur atë me geta për fyti, në kushte të një tronditjeje të thellë psikike.
Një ngjarje tjetër e rëndë ndodhi në nëntor 2007 në qytetin e Burrelit, ku Ibrahim Lika, 64 vjeç, vrau me kallashnikov brenda në shtëpi gruan e tij, Fitnete Lika, 55 vjeç, pas një grindjeje midis tyre. Burri e gjuajti bashkëshorten me dy plumba në kokë dhe disa orë pas krimit u vetëdorëzua në policinë e Tiranës, ku kishte shkuar fillimisht për t‘u fshehur.