Nov 18
Dubai, vendi ku s’mbarojne mrekullite

dubai_skyline_picture.jpgNjë ekonomi gjithmonë e në rritje. Rrjet rrugor, teknologjik dhe ndërtesa nga më të bukurat në botë. Magjia e papërshkrueshme mes hoteleve me shtatë yje dhe parajsës së luksit. Qyteti i Emirateve Arabe është një model zhvillimi për Lindjen e Mesme. Madje, në 2008-ën do të ketë edhe grataçielën më të lartë mbi tokë. Dubai është një kantier financiar, portal, rrugor dhe teknologjik, që funksionin 24 orë në ditë.

Sheiku Mohammed bin Rashid Al Maktoum porosit shumë herë se sekreti nuk duhet nxjerrë. Askush nuk duhet ta njohë lartësinë e Burj Dubait (në arabisht burj do të thotë kullë) deri në vitin 2008, kur të jetë përfunduar dhe hapur për publikun. Megjithatë, të gjithë duhet ta dinë se ajo grataçielë që po ngrihet në shkretëtirën e Emirateve në mes të grataçielave të tjera, do të jetë më e larta në botë, duke i kaluar 550 metrat. Mbahet kaq shumë sekret, sepse sheiku Al Maktoum nuk dëshiron që dikush tjetër, në ndonjë vend të botës, të deklarojë se është projektuar dhe vendosur guri i parë i ndonjë ndërtese që do të jetë më e lartë se e tija.

Ndaj, nuk është rastësi që sheiku Al Maktoum është numri një i Emiratit të Dubait dhe Kryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe (janë shtatë gjithsej) dëshiron të përsërisë: “Dubai gjendet në kryqëzimin ekonomik të botës së re. Këtu arritëm që të bëjmë brenda pesë vjetësh atë që në vendet e tjera bëhet për 20 vjet”. Dhe është pikërisht kjo ëndrra sekrete e Al Maktoum, ta bëjë Dubain një vend të pandarë nga ekonomia e zhvilluar, turizmi, argëtimi dhe aplikimi i çdo teknologjie të re. Ose më mirë akoma, ta bëjë Dubain njëlloj si “motrat” më të zhvilluara përëndimore. Natyrisht, Dubai është bërë edhe një kantier politik në botën arabe, drejt së cilës shikohet me vëmendje dhe kujdes. I vendosur në qendër të një zone strategjike dhe të favorshme, Dubai dëshiron t‘i tregojë Lindjes së Mesme dhe gjithë botës se ekziston një tjetër rrugë zhvillimi, ku nuk përfshihet lufta për besimet dhe ajo e natyrave të tjera. Një shembull i mirë për Izraelin, Palestinën, Libanin, Sirinë, Iranin, Irakun, Jemenin, si dhe për ato vende, që prej vitesh të tëra janë duke përjetuar drama e tragjedi të mëdha, që duket se nuk do të zgjidhen kurrë, duke i bërë çdo ditë e më të pasigurta. Sigurisht nuk ekziston demokracia, siç e njohin në Përëndim, me parti deputetë, zgjedhje, të drejta, detyra dhe konflikte për t‘u zgjidhur. Është gjithmonë një sheik, ku nëse Al Maktoum vendos për diçka, vendimi i tij as që mund të diskutohet: një sistem autoritar, por i “zbutur” nga dita në ditë prej kontaktit me kulturat dhe me stilet e tjera të jetësës. Për të treguar ndryshimet, të ngadalta por të pashmangshme, mjafton të vësh re se prej një viti Ministria e Ekonomisë dhe Planifikimit drejtohet nga një grua, sheikja Lubna Al Rasimi, që mban mbi shpatulla një eksperiencë të gjatë në fushën financiare dhe tregtare. Megjithatë, kush i kthen sytë sot drejt “Burj al Arab”, hoteli i parë në botë me shtatë yje, që është ndërtuar në një ishull artificial, nuk e kupton që ajo mrekulli që është kthyer në logon e Dubait në të gjithë botën, tashmë është pjesë e së shkuarës. E ardhmja nuk është vetëm Burj Dubai (kulla e Dubait), që ditë pas ditë po mundohet të prekë qiellin. Me të njëjtin ritëm vazhdon të zgjerohet e modernizohet Porti i Emiratit, motori kryesor i zhvillimit, i cili është kthyer në nyjen më të rëndësishme të Gjirit Persik. Është pikërisht ai vendi ku mallrat kalojnë nga Përëndimi drejt Lindjes dhe e kundërta. Po ashtu, është vendosur që aeroporti i madh dhe bazë i shoqërisë “Emirates” nuk mjafton më. Për këtë arsye, ruspa, betoniere dhe vinça janë montuar tashmë në zonën ku po ndërtohen pistat e së ardhmes, në gjendje të veprojnë të gjitha së bashku dhe në çfarëdolloj kushtesh meteorologjike. Kur projekti të përfundojë (kostoja totale 8,1 miliardë dollarë) në Aeroportin e Dubait do të udhëtojnë çdo ditë rreth 120 milionë pasagjerë dhe do të shkarkohen 12 milionë tonelata mallra. Në bazë të gjithë kësaj që po ndodh në Emirate, ekziston bindja se nafta dhe gazi nuk janë të përjetshme. Ndaj është e nevojshme të mendohet për të ndërtuar një strategji të tillë, që puset të prishen dhe të furnizojnë me energji vetëm popullsinë lokale. Nga ana tjetër, Dubai posedon rezervat më të vogla të Emirateve të Bashkuara Arabe (më të rëndësishmet janë në territorin Abu Dhabi), kështu nëse në vitin 2000 hidrokarburet përfaqësonin 10,3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, sot kjo përqindje ka rënë në 5,4 për qind. Ndërsa tregtia dhe shërbimet prekin tashmë GDP-në, duke e bërë Dubain një nga ekonomitë më të larmishme të planetit, ku “bashkëjetojnë” dhe punojnë së bashku burra e gra nga 136 vende të ndryshme. Megjithatë, nga sheiku dhe ekipi i tij vazhdojnë të “lulëzojnë” ide që po çudisin botën. Kështu, për momentin, nuk bazohet gjithçka në kullën më të lartë të botës. Emirati ka vendosur të shfrytëzojnë sa më shumë të jetë e mundur bregdetin. Por, nëse mijëra kilometra janë aktualisht “off limits”, sepse i përkasin rezidencës private të Al Maktoum, zgjidhja ka qenë ajo e të ndërtuarit të ishujve artificialë në një largësi të vogël nga deti, ku kanë lindur sipërmarrje në tregun e pasurive të paluajtshme vërtet luksoze, që në fund do ta bëjnë më të madh shtetin e 30 mijë hektarëve dhe brigjet më të gjata se 1500 kilometra. Quhen Palm Jumeirah, në prag përfundimi, Palm Rebel Ali, më e largëta nga qyteti dhe Pal Deira, që do të jetë më e madhja. Të tria kanë formën e një palme, ku do të ndërtohen vila, hotele dhe lokale, porte turistike e parqe. Të gjitha këto nisma janë pjesë e “Mnakheel”, shoqëria operative e kontrolluar direkt nga sheiku Al Maktoum. Nëse këto janë tri iniciativat më të mëdha për pjesën bregdetare në tokë, sheikët kanë ndërtuar dy tempuj të golfit botëror, Greg Norman dhe Vijay Singh, me katër fusha të rrethuara me vila dhe shtëpi moderne, në një hapësirë prej 1200 hektarësh. Ndërsa njeriu që do të sigurojë argëtimin, përveçse do të vendosë se kush do të vizitojë Dubain, quhet Salem bin Dasmal. Është pikërisht ai numri një i projektit Dubailand, parku më i madh i argëtimit, një projekt madhështor, që ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit (hapja është parashikuar për në vitin 2008-të). Ai është i ndarë në zona homogjene: Është “Sport city” me stadiumin e futbollit prej 60 mijë personash dhe i bejsbollit prej 20 mijë, po ashtu edhe tre akademi: ajo e futbollit, e quajtur “Manchester Unitet”, e tenisit dhe e golfit. Pastaj është “Motor city” me një cirkuit për Formula 1. Me pak fjalë, çdo lloj argëtimi, nga parku i dinozaurëve deri te lodrat, sa të thjeshta aq edhe të rrezikshme për ta që nuk e kanë shpirtin e aventurierit. Megjithatë, nga Dubailand diçka funksionon, si për shembull “Snow Dome”, një impiant skish me teleferik, pista skish dhe për rrëshqitje, ku brenda mund të qëndrosh me një pallto sepse bën shumë ftohtë, ndërsa jashtë temperatura arrin 45 gradë celsius. Por, pas gjithë kësaj, Al Maktoum ka vendosur që Emirati i tij duhet të bëhej konkurrent i fortë edhe në fushën teknologjike e kulturore. Nëse projekti i parë “Dubai silicon” është në fazë të avancuar zhvillimi dhe parashikon të kalojë edhe Singaporin, Bangalorën, Hong-Kongun dhe Pudongun në fushën e elektronikës, i dyti është në fillimet e tij, megjithatë diskutimet kanë filluar. Është vendosur që të hapet një Luvër si ai i Parisit. Me pak fjalë, në Dubai sheiku dhe njerëzit e tij po bëjnë të pamundurën për ta vendosur vërtet në qendër të botës. Dhe për këtë arsye nuk kanë hezituar t‘u japin jetë projekteve një shihër totale prej 100 miliardë dollarësh.


Deprecated: Function eregi() is deprecated in /home/prmoney/public_html/wp-content/mu-plugins/topposts-mu.php on line 234