Një seri shpërthimesh të fuqishme, në një depozitë armatimesh, në periferi të Sofjes, ka bërë që të dridhej dje kryeqyteti bullgar. “Shpërthimet kanë ndodhur në orën 06:30, sipas orës lokale, në një bazë të Ministrisë së Mbrojtjes, në fshatin Chelopenchene”, ka bërë të ditur shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë bullgare, gjenerali Zlatan Stojkov. Gjithsesi, askush nuk mbeti i plagosur. Zona u evakuua menjëherë dhe të paktën 200 persona u larguan nga autoritetet. Ndërkohë, një seri shpërthimesh më të vogla ka vazhduar të dëgjohej edhe orë të tëra më pas. Si pasojë e shpërthimeve, copëza të depozitës kanë përfunduar edhe në një pistë të aeroportit ndërkombëtar të Sofjes, jo larg nga vendi ku ndodhi aksidenti. Për motive sigurie aeroporti është mbyllur për disa orë. Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme ka përjashtuar mundësinë që nga municionet dhe baruti, që mbaheshin në depozitë, të ketë ndonjë rrezik ndotjeje, edhe pse kryebashkiaku Boiko Borisov ka ftuar banorët të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbajnë mbyllur dritaret. Gjithsesi, një apel i tillë motivohet më shumë nga era e fortë e sulfatit që ndjehet në të gjitha lagjet lindore të Sofjes. Në depozitë gjendeshin 1500 tonë municione të vjetra, mes të cilave pjesë mortajash, lëndë shpërthyese dhe granata dore e anti-tank. Shpërthimet kanë qenë jashtëzakonisht të forta, aq sa kanë plasur përdhe të gjitha pemët përreth bazës, kanë dridhur godinat dhe ndërtesat në zonë dhe kanë thyer xhamat e dritareve në një rreze prej disa qindra kilometrash.
Leave a Comment